Procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian po hyn në një fazë të re, me Shqipërinë dhe Malin e Zi që konsiderohen ndër vendet më të avancuara në rrugën drejt anëtarësimit.
Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se dinamika e zgjerimit është përshpejtuar ndjeshëm dhe se pret që gjatë mandatit të saj, i cili përfundon në vitin 2029, Bashkimi Evropian të mirëpresë anëtarë të rinj.
Duke folur në Konferencën për Rimëkëmbjen e Ukrainës, të zhvilluar në Gdansk të Polonisë, Kos u shpreh optimiste për ecurinë e vendeve kandidate.
“Mund të them se Mali i Zi do të jetë anëtari i ardhshëm gjatë mandatit tim. Nëse Islanda vendos t’i rikthehet procesit të anëtarësimit dhe qytetarët e mbështesin këtë në referendum, do të jem gjithashtu e lumtur. Shqipëria ka nisur tashmë mbylljen e kapitujve të negociatave. Lëvizja në procesin e zgjerimit është tani më e madhe se në 15 vitet e fundit”, deklaroi ajo.
Sipas komisioneres evropiane, vitet në vijim do të jenë vendimtare për vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa Shqipëria dhe Mali i Zi po kryesojnë ritmin e reformave dhe negociatave me Brukselin.
Shqipëria synon të përmbyllë procesin e negociatave dhe të arrijë anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, ndërsa deklaratat e Marta Kos konsiderohen një sinjal pozitiv për ecurinë e procesit të zgjerimit.


