Seanca plenare është shoqëruar me debate të ashpra mes deputetit socialist Pirro Vengu dhe kreut të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, duke nxitur tensione të forta në sallë.
Gjatë fjalës së tij, Vengu iu drejtua Shehajt me kritika të ashpra, duke e akuzuar për “patriotizëm online” dhe për, sipas tij, transferim të të ardhurave jashtë vendit. Ai vlerësoi se një qëndrim i tillë nuk mund të shërbejë si model frymëzimi për të rinjtë shqiptarë.
Sipas Vengut, Shehaj përfaqëson një formë “feudalizmi teknologjik, financiar dhe moral”, kundër të cilit, sipas tij, drejtohen edhe protestat e zhvilluara së fundmi nga të rinjtë.
“Ti që nuk arrin të shpjegosh pse bën patriotizëm online pasditeve dhe ditën e kalon duke çuar paratë e tua jashtë vendit, si mund të frymëzosh rininë shqiptare?”, u shpreh Vengu në Kuvend.
Ai shtoi më tej se Shehaj po tenton të përfitojë politikisht nga protestat, duke e akuzuar se po përpiqet të pozicionohet në anën e duhur të zhvillimeve shoqërore.
“Ti je një instrument i përçarjes së popullit shqiptar. Po vrapon pas numrave të protestës me shpresën që të jesh nesër në anën e duhur të historisë. Kjo është buracakëri dhe dritëshkurtësi”, deklaroi Vengu.
Debati mes palëve u zhvillua në një atmosferë të tensionuar parlamentare, mes ndërhyrjeve të herëpashershme nga deputetë të tjerë.


