Prokuroria e Tiranës kërkoi ditën e sotme që Princ Leka Zogu të dënohet me një vit e 6 muaj burg për veprën penale “Dhuna në familje”, për ngjarjen e ndodhur në Oborrin Mbretëror afro një muaj më parë.
Gjithashtu Prokuroria e Tiranës në pretencën e dhënë ka kërkuar dënimin me 6 muaj burg për ish-bashkëshorten e Lekës, aktoren Elia Zaharia, si dhe një vit për ish-vjehrrin Gjergj Zaharia.
Pas vendimit të caktuar, Elia Zaharia ka reaguar për Euronews Albania, por ka zgjedhur të mos japë komente mbi vendimin.
“Unë jam mirë! Sot isha prezent pas çeljes së Panairit të Librit dhe do të jem për 3 ditë me radhë në ndjekje të përditshme. Por, përtej promovimit të aktivitetit një koment për vendimin? Unë sot pata kënaqësinë dhe privilegjin të prezantoj çeljen e panairit të 27 të librit. Komenti që kam është që i ftoj të gjithë në këto 5 ditë feste në ngjarjen më të madhe kulturore në vend! Libri është miku më i mirë, të mundëson të jetosh shumë jetë.”
E pyetur mbi vendimin e sotëm nga Prokuroria e Tiranës, Elia Zaharia tha se çështja është në gjykim ende.
“Më vjen keq, por nuk kam koment! Çështja është në gjykim e unë respektoj në heshtje procesin”, përfundon Elia Zaharia.


