Komiteti Kombëtar për Zhvillimin Rajonal dhe Kohezionin ka zhvilluar mbledhjen e tij të parë, duke shënuar nisjen e një mekanizmi të ri qeverisës që synon zhvillimin e balancuar të territorit në Shqipëri.
Në takimin e parë morën pjesë zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja, si dhe ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Andis Salla.
Në një reagim në rrjetet sociale, zv/kryeministrja Koçiu u shpreh se Shqipëria po hyn në një fazë të re drejt një modeli më të qëndrueshëm dhe më të koordinuar zhvillimi, ku planifikimi dhe investimet do të orientohen sipas nevojave dhe potencialeve të çdo zone të vendit.
Sipas saj, kjo qasje synon të rrisë kohezionin ekonomik dhe social, të ulë pabarazitë rajonale dhe të krijojë më shumë mundësi për qytetarët në të gjithë territorin.
“Integrimi europian nuk mbetet vetëm një objektiv politik, por shndërrohet në një standard të prekshëm mirëqenieje në çdo rajon të Shqipërisë”, deklaroi Koçiu.
Nga ana e tij, ministri Blendi Gonxhja theksoi se komiteti i ri do të shërbejë si organi më i lartë vendimmarrës në fushën e zhvillimit territorial, duke luajtur një rol kyç në orientimin e investimeve dhe politikave zhvillimore.
Ai shtoi se synimi është forcimi i koordinimit ndërinstitucional dhe shfrytëzimi më efikas i potencialeve ekonomike, turistike, kulturore dhe sociale të çdo rajoni.
Sipas tij, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit do të vijojë të kontribuojë në këtë proces përmes politikave dhe programeve që mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve.


