Siç dhe ju kemi raportuar, në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë më 30 shtator 2024, deputetët e opozitës dolën në oborr dhe dogjën karriget.
Gjatë ditës së sotme është bërë me dije se karriget e diegura do zëvëndësohen.
Për rrjedhojë, Kuvendi i Shqipërisë hapi tender me vlerë 13 mijë euro për të blerë 30 karrige.
Ndonëse deputetët u përjashtuan me 20-40 ditë nga punimet në seancë plenare, Kuvendi i Shqipërisë ka hapur një tender për blerjen e karrigeve duke e cilësuar si me “nevoja emergjente” për mbarëvajtjen e punimeve.

Tenderi
Kuvendi kërkon që materiali i kornizës të jetë dru ahu i stazhonuar mbi 5 vite, të jetë i tharë paraprakisht në furrë.
Për më shumë, disa materiale duhet të jenë edhe kundra zjarrit. Kjo ndoshta për të parandaluar një tjetër aksion të ngjashëm nga opozita që më shumë se një muaj më pari dogji karriget e Kuvendit.
Sipas dokumenteve të siguruara, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genci Gjonçaj, firmosi hapjen e tenderit në Agjencinë e Prokurimit Publik.
Kohëzgjatja e të gjithë marrëveshjes është brenda 7 ditëve nga nënshkrimi i kontratës.
“Përllogaritja është kryer bazuar në mesataren e tre ofertave të marra në treg, për zërin objekt kontrate mbi bazen e specifikimeve teknike të hartuara nga grupi i punës, referuar kontekstit ekzistues interior të sallës plenare dhe nevojes urgjente për këtë produkt, me qëllim kontinuitetin e zhvillimit normal të aktivitetit legjislativ në sallë”, thuhet në dokument.
Detaje mbi karriget e reja:
Druri duhet të jetë i stazhonuar, mbështetësja të jetë material multistrat e veshur me sfungjer kundër zjarrit. Për më shumë detaje specifike kanë vënë në dispozicion edhe foto të modelin, i cili është i ngjashëm me atë që aktualisht ka Kuvendi.

“Dy këmbet e larta të karriges përfundojne të tornuara si në foto. Mbështetësja të inkasohet në këmbet vertikale dhe lidhëset horizontale. Ulësja të jetë material multistrat (panel druri) spesor 2 cm ose dru i fortë ahu në të cilën inkasohet veshja me po të njëjtin material e përbëre me sfungjer 5 cm kundër zjarrit dhe me lekurë të zezë – ekologjike,”- shkruan Kuvendi.
LEXO EDHE:
Tensione edhe brenda Kuvendit, deputetët e opozitës grumbullojnë karriget te foltorja


