Kampionati Botëror 2026 ka ngritur siparin zyrtarisht këtë të enjte me një ceremoni madhështore në stadiumin legjendar “Azteca” në Mexico City, duke shënuar fillimin e ngjarjes më të madhe futbollistike në planet.
Para mijëra tifozëve të pranishëm në stadium dhe miliona shikuesve në mbarë botën, ceremonia hapëse solli në skenë emra të njohur të muzikës ndërkombëtare. Vëmendjen kryesore e rrëmbyen këngëtarja kolumbiane Shakira dhe artisti nigerian Burna Boy, të cilët interpretuan këngën zyrtare të Botërorit 2026, “Dai Dai”.
Performanca e tyre u prit me entuziazëm nga publiku, duke sjellë një spektakël të mbushur me energji, koreografi dinamike dhe efekte vizuale mbresëlënëse. Kënga “Dai Dai”, e përzgjedhur si himni zyrtar i turneut, mbështet nisma globale në fushën e arsimit përmes bashkëpunimit mes FIFA-s dhe Global Citizen.
Ceremonia u pasurua edhe me performanca nga artistë të njohur si J Balvin, Danny Ocean, Belinda, grupi Maná dhe Los Ángeles Azules.
Një moment emocionues i mbrëmjes ishte edhe interpretimi i himnit kombëtar të Meksikës nga këngëtari legjendar Alejandro Fernández, pak para nisjes së ndeshjes hapëse.
Botërori 2026 është edicioni i parë në histori që organizohet nga tre vende pritëse – Meksika, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja – duke shënuar fillimin e një muaji plot emocione, rivalitet dhe spektakël futbollistik.


