Reshjet e shiut dhe dëborës do të vijojnë në ditët në vijim, ndërsa temperaturat pritet të pësojnë një rënie të ndjeshme, duke zbritur në disa zona deri në vlera nën zero. Sinoptikani Hakil Osmani nga Metoalb, në një lidhje direkte për emisionin “Shqipëria Live”, paralajmëroi se vendi do të përfshihet nga kushte të paqëndrueshme atmosferike, me reshje intensive, erë të fortë dhe rrezik të shtuar për përmbytje.
Sipas Osmanit, dita e premte ka shënuar një rënie të fortë të temperaturave, veçanërisht në zonat verilindore dhe juglindore të vendit, ku termometri ka zbritur deri në -6 gradë Celsius, duke shkaktuar ngrica dhe rikthim të reshjeve të dëborës. Megjithëse ka pasur ndërprerje të përkohshme të reshjeve, pritet që në orët e mbrëmjes dhe gjatë ditës së shtunë ato të intensifikohen, kryesisht në qarkun e Shkodrës dhe në ultësirën perëndimore.
Në zonat malore do të rikthehet dëbora, ndërsa në akset rrugore parashikohen ngrica që mund të vështirësojnë qarkullimin. Temperaturat do të vijojnë të ulen edhe gjatë së dielës dhe të hënës, duke zbritur në disa gradë nën zero, përfshirë edhe zonat e ulëta të vendit.
Përveç reshjeve, problematikë do të jetë edhe era e fortë, e cila pritet të arrijë shpejtësi deri në 80 km/h, duke e bërë fundjavën të pafavorshme për pjesën më të madhe të territorit. Sinoptikani paralajmëroi gjithashtu rrezik të vazhdueshëm për përmbytje, sidomos në ultësirën perëndimore, ndërsa zonat malore do të përballen me probleme nga ngricat.
Sipas parashikimeve, situata meteorologjike pritet të përmirësohet nga e hëna drejt së enjtes, me ndërprerje graduale të reshjeve dhe stabilizim të kushteve të motit.


