Policia greke ka sekuestruar 193 kilogramë kanabis në Janinë, të cilat dyshohet se u nisën nga Shqipëria. Autori braktisi mjetin dhe drogën gjatë ndjekjes, duke u larguar në drejtim të panjohur.
Ky rast është pas një tjetër operacioni, vetëm një javë më parë, ku policia greke ndaloi tentativën e transportit me skaf të 135 kilogramëve kanabis, që dyshohet se ishte nisur nga Saranda. Në këtë rast, në pranga ra vetëm skafisti Edmond Musa. Të dyja ngjarjet janë nën hetim nga autoritetet greke dhe shqiptare për identifikimin e përgjegjësve.
Sipas policisë greke, vetëm gjatë dy muajve të fundit, janë sekuestruar rreth 435 kilogramë marijuanë, në qytete si Selanik, Kostur, Janinë dhe Igumenicë, që dyshohet se vinin nga Shqipëria.
Ndërkohë, situata në Shqipëri është më e moderuar: në operacionet pranë kufirit janë sekuestruar vetëm disa dhjetëra kilogramë. Top Channel mëson se nga fillimi i vitit deri në shtator janë sekuestruar 972 kg kanabis.
Rasti më i fundit u regjistrua këtë të diel në fshatin Vishocicë, Devoll, ku policia sekuestroi 16 kg kanabis që do të trafikohej drejt Greqisë. Autorët e ngjarjes janë Julian Belortaja, i cili u arrestua, dhe Danjel Mete, i shpallur në kërkim.


