Lëvizja Vetëvendosje ka fituar një ulëse shtesë në Kuvendin e Kosovës pas nisjes së numërimit të votave me postë nga diaspora, duke forcuar më tej pozitat e saj si partia fituese e zgjedhjeve.
Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas numërimit të rreth 23% të votave me postë, Vetëvendosje arrin në 51 mandate. Në total, duke përfshirë edhe votat nga përfaqësitë diplomatike, partia ka siguruar rreth 69% të votave të diasporës.
Ky rezultat ndikon në konfigurimin e përgjithshëm të Kuvendit të Kosovës, ku Partia Demokratike e Kosovës zbret në 23 mandate, Lidhja Demokratike e Kosovës në 19, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në 7 mandate.
Ndërkohë, sipas këtyre projeksioneve, Vetëvendosje e Albin Kurti i afrohet ndjeshëm shumicës së nevojshme për formimin e institucioneve të reja, duke e bërë më të lehtë negociimin për qeverinë e ardhshme me partitë e minoriteteve.
Numërimi i votave me postë dhe atyre me kusht vijon, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të shpallë rezultatet përfundimtare në fund të qershorit dhe t’i certifikojë ato më së largu më 6 korrik.


