Një operacion i gjerë policor në Katalonjë ka çuar në goditjen e një organizate kriminale të dyshuar për trafik armësh. Gjatë aksionit janë arrestuar nëntë persona dhe është sekuestruar një arsenal i konsiderueshëm armësh, mes tyre edhe një bazukë dhe një granatë dore.
Operacioni u zhvillua nga forcat e Mossos d’Esquadra dhe Policia Nacional, me pjesëmarrjen e rreth 130 efektivëve. Autoritetet kryen kontrolle në disa ambiente të lidhura me organizatën, ku zbuluan dy depo armësh.
Sipas hetuesve, në këto ambiente u gjetën më shumë se 40 armë zjarri, përfshirë një armë luftarake, 38 pistoleta gjysmëautomatike, dy revolverë, katër pushkë dhe rreth 1 mijë fishekë.
Gjithashtu, gjatë operacionit u sekuestruan një granatë dore, jelekë antiplumb, një mburojë balistike, një bazukë dhe rreth 12 mijë euro para cash.
Hetimet kanë zbuluar se organizata dyshohet se drejtohej nga një person që ndodhet aktualisht në burg, por që vijonte të koordinonte aktivitetin kriminal dhe të jepte udhëzime për anëtarët e rrjetit.
Desarticulado un grupo criminal en #Barcelona dedicado al tráfico de armas
— Policía Nacional (@policia) July 22, 2026
👉Intervenidos entre otros efectos:
🔹Más de 40 armas de fuego y de 1.000 cartuchos
🔹Un lanzacohetes
🔹Un escudo balístico
👉9 personas detenidas
Operación conjunta con @mossos pic.twitter.com/zNIwlD8Lku
Sipas autoriteteve, grupi merrej me blerjen, magazinimin dhe shitjen e armëve përmes kanaleve të fshehta. Armët reklamoheshin përmes fotografive dhe videove, të cilat u dërgoheshin blerësve të mundshëm.
Një prej vajzave të drejtuesit të dyshuar të organizatës kishte rolin e promovimit të armëve, duke i fotografuar dhe filmuar ato për klientët, ndërsa partnerja e tij dyshohet se kryente transportin e armëve drejt pikave të dorëzimit. Negociatat për shitjen, sipas hetimit, zhvilloheshin nga kreu i grupit edhe pse ndodhej në burg.
Hetimi kishte nisur në muajin janar dhe ka çuar në arrestimin e nëntë personave, pesë burra dhe katër gra, të moshës nga 20 deri në 48 vjeç.
Krahas kontrolleve në terren, autoritetet kryen edhe një kontroll në burgun ku ndodhej personi i dyshuar si organizatori i rrjetit kriminal.
Policia spanjolle bën me dije se hetimet vijojnë dhe nuk përjashtohet mundësia e arrestimeve të tjera në kuadër të këtij operacioni.


