Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar lidhur me rastin e 34-vjeçares që po vuan dënimin në IEVP Pojskë së bashku me foshnjën e saj 11-muajshe.
Në një njoftim zyrtar, Burgjet bëjnë me dije se gruaja me inicialet D. S., e dënuar me 2 muaj burgim, është akomoduar në institucion së bashku me fëmijën e saj, në zbatim të legjislacionit për mbrojtjen e të drejtave të nënave të privuara nga liria dhe interesin më të mirë të fëmijës.
Sipas autoriteteve, gjatë procedurave të pranimit në institucion, 34-vjeçarja ka ushtruar të drejtën ligjore për të mbajtur pranë saj fëmijën nën moshën 3 vjeç.
Pas përfundimit të procedurave dhe administrimit të dokumentacionit përkatës, foshnja është vendosur në ambientet e posaçme të institucionit, jashtë regjimit të brendshëm të burgut, në hapësira të përshtatura për qëndrimin e nënave me fëmijët e tyre.
Drejtoria e Burgjeve bën të ditur se për nënën dhe fëmijën është hartuar një plan i individualizuar përkujdesjeje, i cili përfshin masat e sigurisë, kujdesin shëndetësor, ushqimin sipas nevojave, si dhe mbështetjen psikologjike e sociale.
Zbatimi i këtij plani monitorohet nga stafi multidisiplinar i institucionit, me qëllim garantimin e mirëqenies së nënës dhe fëmijës, si dhe respektimin e të drejtave të tyre në përputhje me legjislacionin dhe standardet në fuqi.


