Tingujt e polifonisë shqiptare janë bërë pjesë e kolonës zanore të filmit “Odisea” të regjisorit të njohur Christopher Nolan, duke shoqëruar veprën kinematografike nga fillimi deri në fund.
Për realizimin e muzikës së filmit, kompozitori fitues i çmimit Oscar, Ludwig Göransson, udhëtoi verën e kaluar në jug të Shqipërisë, ku regjistroi disa prej grupeve më të njohura të polifonisë shqiptare, mes tyre Grupin e Gjirokastrës, Djemtë e Delvinës dhe Fyejtë e Gramshit. Ky proces u zhvillua në bashkëpunim me etnomuzikologun dhe kompozitorin shqiptar, akademikun Prof. Dr. Vasil Tole.
Sipas Toles, muzika polifonike shqiptare tërhoqi vëmendjen për lashtësinë dhe lidhjen e saj me traditat e hershme kulturore.
“E gjithë ekspertiza ime konsiston në faktin që të theksoja se kjo është një muzikë shumë e lashtë, para feve, e kohëve homerike, madje edhe më herët se aq, e lidhur ngushtë me evoluimin e gjuhës shqipe. Fakti që ishte një kulturë e gjallë e stimuloi shumë kompozitorin, i cili u frymëzua dhe ndërtoi një gjuhë muzikore shumë origjinale”, u shpreh akademiku.
Tole tregon se gjatë komunikimeve me ekipin e filmit, Christopher Nolan kërkoi një qasje të ndryshme muzikore, duke shmangur përdorimin tradicional të orkestrës simfonike dhe duke u orientuar drejt rrënjëve të muzikës së lashtë dhe elementeve arkaike.
Në këtë proces, vëmendje e veçantë iu kushtua strukturës së polifonisë shqiptare, marrëdhënies mes zërave, funksionit të isos dhe roleve të zërave solistikë.
“Tre elementë të rëndësishëm të muzikës sonë janë përdorur në film: Fyejtë e Gramshit janë përdorur për të krijuar panoramën e peizazhit kulturor të kohës; grupi i Djemve të Delvinës, isoja dhe marrëdhënia me hedhësin janë përdorur në aspektet luftarake, ndërsa elementi i fyellit është përdorur për të shprehur vajtimin”, tha Tole.
Për akademikun, përfshirja e isopolifonisë shqiptare në një produksion të madh hollivudian përbën një mundësi të rëndësishme për promovimin e kulturës shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Megjithatë, ai ngre shqetësimin për mungesën e mbështetjes së vazhdueshme ndaj artistëve dhe grupeve që ruajnë këto tradita.
“Shqipëria tashmë ka mbi 12 dukuri të regjistruara në UNESCO. Do të sugjeroja që Ministria e Kulturës të krijojë një strukturë të posaçme për të ndjekur problematikat e trashëgimisë kulturore, për të parë jo vetëm ruajtjen e dukurive, por edhe mbrojtjen e atyre që i mbajnë gjallë”, u shpreh Tole.
Sipas tij, fakti që grupet shqiptare të polifonisë janë përfshirë në një film të përmasave botërore është një arritje e rëndësishme dhe një dëshmi e vlerave të jashtëzakonshme artistike të muzikës tradicionale shqiptare.


