Dy persona janë dënuar me burg në Itali, ndërsa një tjetër pritet të përballet me drejtësinë, pasi akuzohen për një pengmarrje dhe grabitje të armatosur ndaj një biznesmeni italian, nga i cili u morën rreth 300 mijë euro.
Ngjarja ka ndodhur më 8 tetor 2025 në Trento, kur një grup personash kanë hyrë me forcë në banesën e biznesmenit Eugenio Gallizioli. Sipas hetimeve, autorët e kanë kërcënuar me armë dhe e kanë mbajtur peng për disa orë, duke i marrë para cash dhe bizhuteri me vlerë nga kasaforta e shtëpisë.
Hetimet e autoriteteve italiane kanë zbuluar përfshirjen e disa shtetasve shqiptarë në këtë ngjarje të rëndë. Dy prej tyre, Klodjan Cesku dhe Arsild Memaj, janë dënuar me 4 vite e 3 muaj burg dhe gjobë financiare, ndërsa një tjetër i dyshuar, i konsideruar si organizatori i grupit, pritet të dalë në gjykim në vijim.
Sipas mediave italiane, disa prej të akuzuarve kanë pranuar pjesërisht përfshirjen në ngjarje, ndërsa ende nuk është rikuperuar e gjithë shuma e grabitur. Rasti është klasifikuar si një grabitje e organizuar me dhunë dhe pengmarrje, duke tronditur zonën e Trentos.


