Nga 1 janari 2026, pronat në Shqipëri pritet të kushtojnë më shtrenjtë. Ministria e Financave ka përgatitur projektligjin për çmimet e reja të referencës për pasuritë e paluajtshme në 12 qarqe të vendit, përjashtuar vetëm Bashkinë e Tiranës. Drafti pritet të kalojë për diskutim në komisionet parlamentare, për t’i hapur rrugë miratimit dhe hyrjes në fuqi.
Sipas dokumentit, bregdeti shqiptar do të ketë çmimet më të larta, me vlera që në disa zona kalojnë 2000 euro për metër katror, ndërsa Fushë-Arrëz rezulton me çmimet më të ulëta në vend.
Çmimet e reja në qarqe
Shkodër: nga 10.500 lekë/m² në Fushë-Arrëz deri në 75.000 lekë/m² në qytetin e Shkodrës.
Gjirokastër: nga 17.000 lekë/m² në Memaliaj deri në 63.000 lekë/m² në Gjirokastër.
Berat: nga 26.000 lekë/m² në Skrapar deri në 55.000 lekë/m² në Berat.
Fier: nga 32.000 lekë/m² në Patos deri në 62.000 lekë/m² në qytetin e Fierit.
Korçë: nga 31.300 lekë/m² në Kolonjë deri në 70.000 lekë/m² në zonën e parë të Korçës.
Kukës: nga 32.000 lekë/m² në Bajram Curri deri në 58.000 lekë/m² në Kukës.
Lezhë: nga 36.000 lekë/m² në Milot deri në 70.000 lekë/m² në Shëngjin.
Dibër: nga 40.000 lekë/m² në Klos deri në 52.000 lekë/m² në Peshkopi.
Elbasan: nga 40.000 lekë/m² në Belsh deri në 60.000 lekë/m² në Elbasan.
Durrës: nga 43.000 lekë/m² në Shijak deri në 200.000 lekë/m² në zonën 13 të qytetit të Durrësit.
Vlorë: nga 31.000 lekë/m² në Finiq deri në 200.000 lekë/m² në zonën 7 të Vlorës (ishulli i Sazanit).
Tiranë (jashtë qytetit): nga 46.000 lekë/m² në Rrogozhinë deri në 75.000 lekë/m² në Kamëz.
Brenda kryeqytetit, çmimet aktuale të referencës arrijnë deri në 228.000 lekë/m² në Njësinë nr. 5.
Si janë llogaritur çmimet
Çmimet e reja janë bazuar mbi shitblerjet e katër viteve të fundit, vendndodhjen, sistemin urban dhe tendencat e tregut imobiliar.
Ato përfshijnë kategori të ndryshme pasurish si: ndërtesa, apartamente, shtëpi, njësi tregtare, garazhe dhe bodrume.
Për njësitë tregtare dhe ato të shërbimit, çmimi për metër katror është 1.5 herë më i lartë se ai i zonës përkatëse, ndërsa në Tiranë ky koeficient është dyfish.
Këshillat Bashkiake do të kenë të drejtë të rregullojnë çmimet ±30% mbi vlerat e përcaktuara nga Ministria e Financave.


