Humbja e motrave Dhimaku, Elvisa 22 vjeç dhe Rozina 20 vjeç, në aksidentin tragjik të 24 gushtit, ka tronditur opinionin publik. Dy të reja, të mbushura me ëndrra e sakrifica, shkuan nga kjo botë në pak sekonda, teksa udhëtonin drejt Sarandës.
Babai i tyre, Riza Dhimaku, ka shkruar një letër rrëqethëse ku përshkruan takimin e fundit me të bijat, që i kërkuan një darkë të fundit, sikur ta parandjenin fatin e tyre.
“Kur u ndava për herë të fundit nga vajzat e mia, më kërkuan një darkë… një mbrëmje vetëm me mua. Nuk pranova, sepse çdo qindarkë e kursenim për shërimin e Islit. Sot silueta e tyre te dera, me kokën ulur, më shfaqet përditë. Dhe nuk më lë të marr frymë,” shkruan ai.
Dy motrat kishin marrë një tezgë në Sarandë, ku punonin si shitëse ambulante për të mbledhur para për kurimin e vëllait të tyre 7-vjeçar, i cili prej katër vitesh lufton me leucemi. Elvisa kishte përfunduar studimet për Teknik Laboratori dhe pritej të niste punë më 1 shtator, ndërsa Rozina ishte studente për infermieri. Të dyja ëndërronin jo vetëm një jetë më të mirë, por edhe të shëronin vëllain e tyre.
“Në atë natë të zezë humba gjithçka… Zëri në telefon më tha: ‘Riza, bëhu i fortë, vajzat na lanë’. Dhe aty, mes malit, m’u shemb bota,” shkruan ai më tej.
Sot, shtëpia e familjes Dhimaku është e pushtuar nga zija. Dhimbja është e pamasë, por shpresa e vetme është shërimi i vogëlushit Isli, për të cilin Fondacioni “Firdeus” ka marrë përsipër kurimin.


