Reshjet e shiut kanë shkaktuar probleme në disa qarqe të vendit, duke dëmtuar ura, rrugë dhe duke shkaktuar rënie gurësh e inerte në disa akse rrugore. Sipas Emergjencave Civile, në qarkun e Kukësit janë evidentuar rënie gurësh dhe inertesh në Ujmisht, Lusën, Malqen, Tejdrinë dhe Zapod.
Në fshatin Bele, era ka dëmtuar mbulesën e një çatie të shkollës, ndërsa në Kolsh, vërshimet kanë dëmtuar rrugët e fshatit Myç-Mamëz dhe aksin Kukës–Surroj. Në Tropojë disa ura kanë pësuar dëmtime në këmbët mbajtëse dhe shtrojën e tyre për shkak të prurjeve të mëdha të ujit.
Emergjencat Civile, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), po vijojnë ndërhyrjet për të ndihmuar qytetarët. Si rezultat i pranisë së ujit në banesa, një familje me pesë anëtarë është evakuuar nga fshati Dukagjin i Ri, njësia administrative Thumanë. Në Zejmen, për shkak të përmbytjes nga përrenjtë e Prullit dhe Pllanës, katër banesa janë prekur; banorët janë akomoduar përkohësisht nga strukturat vendore. Ekipet e emergjencave kanë kryer largimin e ujit dhe pastrimin fillestar të ambienteve.
Në qarkun e Durrësit, puna vazhdon për eliminimin e pasojave të reshjeve në njësitë Sukth, Katund i Ri dhe Ishëm, ndërsa niveli i lumenjve Erzen dhe Ishëm mbetet brenda kuotave normale. Hidrovorët e Porto Romanos dhe Hamallaj punojnë me kapacitet të plotë.
Në qarkun Dibër situata është kryesisht e qetë, përveç mungesës së energjisë elektrike në disa njësi administrative, ndërsa OSHEE po punon për riparimin e defekteve. Në qarkun Lezhë, situata po normalizohet në Mamurras dhe fshatrat përreth, ndërkohë që rruga mbi lumin Vinjollë mbetet e bllokuar për shkak të dëmtimit të urës.
Në qarqet Shkodër dhe Elbasan, po punohet për pastrimin e inerteve dhe riparimin e segmenteve rrugore të dëmtuara, ndërsa në qarkun Tropojë dhe disa zona të qarkut Gjirokastër dhe Korçë po vijojnë ndërhyrjet për rikthimin e energjisë dhe trajtimin e pasojave të reshjeve.
Ministria e Mbrojtjes dhe AKMC vijojnë monitorimin e situatës dhe janë në gatishmëri të plotë për të marrë masa shtesë në rast përkeqësimi të kushteve atmosferike.


