Qeveria ka miratuar sot vendimin për shpalljen e disa zonave me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore në bashkitë Belsh, Përmet, Skrapar dhe Elbasan, në kuadër të zbatimit të “Paketës së Maleve”.
Vendimi i Këshillit të Ministrave, i propozuar nga ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, synon të nxisë zhvillimin ekonomik, turistik dhe agropërpunues në territoret me potencial të lartë natyror.
Sipas vendimit, në bashkinë Belsh janë shpallur zona prioritare fshatrat Qafshkallë, Gradishtë, Seferan-Hysë, Shegas dhe Fierzë.
Në bashkinë Elbasan, prioritet do të kenë fshatrat Funar, Gjinar, Tregan dhe Shushicë.
Ndërsa në Përmet, zonat me përparësi janë Kanikol dhe Draçovë, dhe në Skrapar, njësia administrative Potom me zonën Helmës-Staraveckë.
Zhvillimet që parashikohen për këto zona lidhen me aktivitete ekonomike, industriale dhe turistike, duke synuar ringjalljen e ekonomisë lokale në zonat malore.
Në zbatim të vendimit janë ngarkuar Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, Agjencia e Zhvillimit të Territorit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe bashkitë përkatëse.
“Paketa e Maleve” synon të krijojë kushte më të favorshme për zhvillimin e turizmit, bujqësisë, blegtorisë dhe agropërpunimit, duke e kthyer potencialin natyror të zonave malore në motor ekonomik.
Aplikimet për këtë program mbeten të hapura deri në fund të vitit 2025, ndërsa 500 aplikantët e parë do të përfitojnë lehtësira fiskale për 10 vjet, një masë që pritet të nxisë investime të hershme dhe të qëndrueshme në këto zona.


