Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë sot një mesazh publik që synon të inkurajojë qytetarët e kualifikuar të bëhen pjesë e administratës vendore përmes thirrjeve të hapura nga bashkitë e vendit. Në fokus të këtij apeli janë prurjet e reja në drejtimin e sektorëve të ndryshëm të bashkive, si pjesë e reformës për forcimin e mirëqeverisjes lokale.
“Bashkitë Durrës, Shkodër, Korçë, Dibër, Fier, Lushnjë, Elbasan dhe një sërë të tjerash kanë hapur tanimë thirrjet publike për aplikime për prurje të reja në drejtimin e sektorëve të ndryshëm të veprimtarisë së tyre
APLIKONI me kurajo dhe besim”, shkruan Rama në postimin e tij.
Ai bëri të ditur se Bashkia e Vlorës, e cila e nisi këtë proces e para, tashmë ka hyrë në fazën e intervistave, ndërsa njoftoi një risi të rëndësishme për Bashkinë e Tiranës, ku është konceptuar një strukturë e re organizative në bashkëpunim me Institutin Tony Blair. Kjo strukturë synon të shërbejë si model për të gjitha bashkitë e tjera, me qëllim ndërtimin e institucioneve më të afta, më efikase dhe më të përgjegjshme ndaj qytetarëve.

“Në bashkëpunim me Institutin Tony Blair është konceptuar një strukturë e re organizative e Bashkisë Tiranë, e cila do të adoptohet edhe në bashki të tjera, për të forcuar shtyllat bazë të mirëqeverisjes vendore”, thekson Rama.
Në përfundim, ai thekson rëndësinë e këtij procesi si pjesë e përgatitjeve të Shqipërisë për integrimin europian.
“Është koha që bashkitë të fuqizojnë kontributet e tyre për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian✋”.


