Kuvendi i Shqipërisë reagoi pas shpërndarjes së një materiali informues nga Sektori i Bibliotekës në adresë të deputetëve, ku përmendej si hero edhe emri i ish-diktatorit Enver Hoxha.
Në një sqarim zyrtar, Kuvendi thekson se materiali është pjesë e praktikës rutinë të Bibliotekës, e cila i dërgon deputetëve informacione me karakter historik dhe arkivor, bazuar në burime të publikuara nga institucione shkencore.
“Ky informacion është pjesë e praktikës rutinë të Sektorit të Bibliotekës, i cili furnizon periodikisht deputetët me të dhëna historike dhe arkivore, për informim të përgjithshëm mbi ngjarje, data apo elementë të tjerë me karakter historik,” thekson reagimi.
Materiali i fundit përmbante datat e lindjes dhe të vdekjes së disa figurave historike të shtetit shqiptar gjatë muajit tetor, bazuar në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar (Botim i Akademisë së Shkencave, 2008, fq. 957).
Kuvendi thekson se nuk ka planifikuar ndonjë aktivitet të veçantë lidhur me figurat e përmendura dhe nuk ka shprehur asnjë qëndrim vlerësues, pozitiv apo negativ, për asnjërën prej tyre.


