Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit për shfuqizimin pjesor të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 425, datë 26.06.2024, që përcakton strukturën dhe nivelet e pagave për mësuesit dhe stafin jomësimor në arsimin parauniversitar.
Sindikata e kishte kontestuar vendimin, duke pretenduar se krijon pabarazi dhe diskriminim mes arsimtarëve, sidomos për ata me diploma të kategorisë 2 dhe 3, të cilët përfitojnë më pak shtesa krahasuar me kolegët e tjerë. Konkretisht, sipas lidhjes nr. 4 të VKM-së, këta mësues përfitojnë nga 10 deri në 12 mijë lekë shtesë, ndërsa të tjerët përfitojnë deri në 14 mijë lekë.
Pas shqyrtimit të çështjes në seancë publike më 26 qershor dhe diskutimeve të mbyllura më 24 korrik, Gjykata mbeti me vota të ndara, 4 pro dhe 4 kundër, duke mos arritur shumicën e nevojshme prej të paktën 5 votash për shpalljen e VKM-së si antikushtetuese. Kjo bëri që kërkesa të rrëzohej automatikisht.
Gjykata u përça në interpretimin e pretendimeve: një pjesë e gjyqtarëve argumentuan se bëhej fjalë për çështje të natyrës ligjore dhe jo kushtetuese, ndërsa të tjerë theksuan se VKM-ja cënonte të drejta të fituara dhe parimin e barazisë përpara ligjit.
Vendimi përfundimtar i arsyetuar pritet të publikohet në përputhje me afatet ligjore.


