Së fundmi është zbuluar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka rënë pre e një rrengu të organizuar nga dy komedianë rusë të njohur si Vovan dhe Lexus.
Referuar një videoje të postuar në rrjet, vërehet se Kurti ra pre e rrengut pasi ai mendon se po komunikonte në telefon me presidentin e Letonisë, Edgar Rinkevics e kështu ai vijon e komenton mediat dhe opozitën.
Gjatë fjalës së tij kryeministri pretendon se ka pasur luftë hibride ndaj qeverisë së tij.
“Ka pasur luftë hibride kundër qeverisë tonë që herët…kryesisht vjen nga Serbia dhe Rusia, por edhe nga disa elementë të tyre brenda Kosove. Prandaj lufta hibride dhe dezinformtat, e dyta ishte premtimet irracionale të opozitës të cilët flirtonin me luftën hibride. Dhe e treta disa oligarkë në vend, në veçanti njëri, që ka një TV stacion”, dëgjohet të thotë Kurti.
Më tej ai komenton dhe mbi emisarin Richard Grenell, për të cilin në fund dëgjohet duke thënë se “ai është homoseksual”.
“Tërë këto katër vite kundër meje. Ai ishte instrumental në rrëzimin e qeverisë time të parë, në 2020, e vetmja qeveri e ime u rrëzua gjatë pandemisë. Dhe tash në masë të madhe është rreshtuar me opozitën. Ai ka marrë një çmim të lartë në Beograd, të klasit të parë, nuk është në rregull të marrës çmim të atij soji në një vend autoritar dhe të pretendosh të jesh neutral. Tash ka një punë të re, Instituti Kenedi, ku ka të bëjë me vlerat e ShBA-së… Ai është homoseksual vetë”, thotë Kurti.


