Presidenti i Federatës Iraniane të Futbollit, Mehdi Taj, i ka kërkuar FIFA-s që në stadiumet e Botërorit të lejohet vetëm përdorimi i flamujve zyrtarë të shteteve pjesëmarrëse, duke ngritur shqetësime për praninë e simboleve të opozitës iraniane gjatë ndeshjeve në Shtetet e Bashkuara.
Sipas tij, rregullat e FIFA-s duhet të garantojnë që në tribuna të mos shfaqen flamuj të tjerë përveç atij zyrtar të Iranit, pasi ekziston frika se diaspora iraniane në SHBA mund të përdorë ndeshjet për protesta politike.
Irani, i cili është në Grupin I të turneut dhe po përgatitet në Tijuana të Meksikës, do të zhvillojë ndeshjen e parë më 16 qershor në Los Angeles ndaj Zelandës së Re.
“FIFA është përgjegjëse për protokollet dhe një prej tyre përcakton që në stadium duhet të shfaqet vetëm flamuri zyrtar i një vendi”, është shprehur Mehdi Taj.
Në ditët e fundit, federata iraniane ka paralajmëruar edhe mundësinë e tërheqjes së skuadrës nga ndeshjet, nëse në tribuna shfaqen parulla ose flamuj që nuk njihen zyrtarisht nga shteti iranian.
Situata pritet të krijojë tensione të mundshme gjatë ndeshjes në Los Angeles, ku jeton edhe diaspora më e madhe iraniane në botë, një pjesë e së cilës është kundër regjimit aktual. Gjatë këtij aktiviteti pritet gjithashtu që disa organizata të zhvillojnë protesta, përfshirë edhe valëvitjen e flamurit të vjetër iranian, të përdorur para Revolucionit Islamik.


