Mijëra studentë nga vende të ndryshme europiane, të cilët morën kredi për të financuar studimet në universitetet britanike, janë zhdukur pa shlyer asnjë pjesë të detyrimeve të tyre, duke lënë pas një borxh që arrin në 893 milionë paund.
Sipas të dhënave të publikuara nga kompania shtetërore britanike Student Loans Company (SLC), autoritetet po përpiqen të lokalizojnë rreth 42 mijë ish-studentë që nuk kanë shlyer kreditë e marra për arsimin e lartë.
Për t’i gjetur, Britania ka nisur bashkëpunimin me institucione në vende të ndryshme të Bashkimit Europian, me synimin për të identifikuar vendndodhjen e tyre dhe për t’i detyruar të paguajnë detyrimet financiare.
SLC ka theksuar se largimi nga Britania nuk i përjashton ish-studentët nga detyrimi për të shlyer kreditë, por gjurmimi i tyre jashtë vendit mbetet më i vështirë sesa brenda territorit britanik, ku autoritetet kanë akses në të dhënat tatimore.
Në total, kompania po kërkon 121 mijë ish-studentë me kredi të papaguara, me një vlerë që arrin në 3.4 miliardë paund. Sipas të dhënave, rreth 15 mijë prej tyre mendohet se ndodhen në Australi, 7,600 në SHBA, 5,500 në Spanjë, 5,500 në Irlandë, 5,300 në Emiratet e Bashkuara Arabe, 1,500 në Kinë dhe rreth 3,500 secili në Bullgari dhe Rumani.


