Kristian Marku është 30 vjeçari i cili u qëllua për vdekje pasditen e 13 janarit, ndërsa po udhëtonte me mjetin e tij në autostradën Fier-Vlorë.
Burimet thanë se Kristian Marku ka precedent penalë për tentativë vrasje dhe për armëmbajtje pa leje.
Mësohet se 30 vjeçarit autorët i zunë pritë dhe e qëlluan me breshëri kallshnikovi pranë fshatit Novoselë, teksa lëvizte me një automjet tip ‘Volkswagen’.
Policia tha se ka gjetur të djegur mjetin e autorëve. Makina që dyshohet e autorëve, u gjet në flakë pak metra më larg vendit ku ndodhi atentati.
Në vendngjarje kanë shkuar shërbime të Policisë së DVP Vlorë dhe grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë Njësia Fier. Vijon krehja e zonës dhe kontrollet për kapjen e autorëve.
Gjithashtu është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
E SHKUARA E VIKTIMËS
Në vitin 2023 Kristian Marku alias Kristi Bardhi është skeduar nga policia si i dyshuar për një ngjarje të ndodhur në 26 mars të këtij viti në Rrëshen, ku pati të shtëna me armë zjarri në drejtim të shtetasit me iniciale S. R.
Më tej, në shtator të vitit 2023, Marku është arrestuar nga policia e Kurbinit pasi është kapur me një armë zjarri tip pistoletë të cilën e mbante pa leje.
Mësohet se Marku është sinjalizuar nga shërbimet e policisë për të ndaluar në afërsi të fshatit Shëmri të Kurbinit, por sapo ka vërejtur autoritetet ai ka hedhur armën e mbushur me fishekë nga dritarja e makinës në të cilën ndodhej.
Atentat në Vlorë/ Vritet me armë zjarri brenda makinës 30 vjeçari, zbulohet emri


