Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka ndërmarrë një hap të ri në përpjekje për të zhbllokuar procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke ftuar në një takim konsultativ liderët e dy partive kryesore të opozitës, Memli Krasniqin (PDK) dhe Lumir Abdixhikun (LDK).
Takimi është planifikuar të mbahet të enjten, më 1 maj, në orën 08:30 në sallën N-204 të Kuvendit. Ftesa e Kurtit vjen pasi Lëvizja Vetëvendosje ka dështuar gjashtë herë radhazi të sigurojë zgjedhjen e Albulena Haxhiut si kryetare e Kuvendit.
Në letrën e dërguar dy liderëve, Kurti thekson se duke u bazuar në Kushtetutë, tre nënkryetarët e Kuvendit duhet të jenë nga tri partitë me më shumë ulëse, ndaj kërkon një takim të përbashkët për të diskutuar hapat e mëtejshëm në drejtim të formimit të institucioneve të reja.
Megjithatë, ende mbetet për t’u parë nëse Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku do ta pranojnë ftesën. Kujtojmë se Abdixhiku e kishte refuzuar një takim të mëparshëm me Kurtin më 8 prill, duke argumentuar se gjuha e përdorur nga kreu i VV-së gjatë dhe pas fushatës ishte e papranueshme për një komunikim të sinqertë politik.
Nga ana tjetër, Kurti nuk e kishte ftuar fare kreun e PDK-së në përpjekjen e parë për dialog. Më herët, Glauk Konjufca kishte lënë të kuptohet se VV kishte preferuar të bashkëpunonte me LDK-në, duke e konsideruar ftesën për ta si të qëllimshme.


