Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka sekuestruar armën e zjarrit të një efektivi të Policisë së Durrësit, i cili dyshohet se ka qenë i pranishëm gjatë konfliktit ku u përfshi edhe Denis Tafili, person i shpallur në kërkim nga SPAK.
Sipas informacioneve paraprake, efektivi i policisë ka qenë në një lokal në momentin kur ka ndodhur konflikti, ndërsa gjatë deklarimeve të dhëna para agjentëve të AMP-së ka mohuar të ketë lidhje me Tafilin, duke pretenduar se nuk ka pasur komunikim apo shoqëri me të.
Konflikti ndodhi në zonën e Shkallnurit në Durrës, ku 41-vjeçari Denis Tafili, së bashku me një person tjetër, dyshohet se ka goditur me qytën e një pistolete 36-vjeçarin Edison Gjuzi pas një konflikti për motive të dobëta.
Sipas deklarimeve të të dëmtuarit, ai pretendon se e ka parë efektivin e policisë disa herë në shoqërinë e Denis Tafilit dhe personit tjetër të dyshuar për përfshirje në ngjarje.
Për të sqaruar rrethanat dhe për të verifikuar nëse efektivi ka pasur ndonjë rol në favorizimin e personit të shpallur në kërkim nga SPAK, AMP po kryen verifikime të mëtejshme, përfshirë edhe kontrollin e kamerave të sigurisë.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë e secilit person të përfshirë në konflikt dhe për të dokumentuar plotësisht ngjarjen.


