Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar pas incidenteve të raportuara jashtë ambienteve të Kuvendit, duke dënuar dhunën verbale dhe fizike të shfaqur gjatë protestës së sotme.
Në reagimin e saj, Koçiu e cilësoi sjelljen e protestuesve si të papranueshme dhe jashtë çdo standardi demokratik, duke theksuar se akte të tilla nuk i shërbejnë as protestës dhe as përfaqësimit qytetar.
“Dhuna verbale dhe fizike e shfaqur sot jashtë Kuvendit është e papranueshme dhe jashtë çdo kornize demokratike. Sjellje të tilla agresive nuk i bëjnë nder as protestës dhe as kujtdo që pretendon të përfaqësojë qytetarët e këtij vendi”, shkroi ajo në rrjetet sociale.
Sipas Koçiut, përpjekjet për destabilizim dhe krijimin e kaosit, të nxitura nga një grup i vogël individësh që vendosin interesat e tyre politike mbi ato të vendit, nuk do të arrijnë të ndikojnë në jetën publike dhe politike në Shqipëri.
“Skenarët për destabilizim dhe kaos, të orkestruar nga një grup i vogël njerëzish që i vendosin agjendat e tyre politike mbi interesin e vendit, nuk mund dhe nuk do ta marrin kurrë peng jetën publike dhe politike të Shqipërisë”, u shpreh ajo.
Koçiu theksoi se këto tentativa do të dështojnë, duke shtuar se qytetarët janë të orientuar drejt zhvillimit dhe procesit të integrimit europian.


