Policia e Korçës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Organizatori”, në kuadër të kontrolleve të shtuara për goditjen e veprimtarive të paligjshme në fushën e lojërave të fatit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike në të gjithë territorin e qarkut Korçë.
Si rezultat i operacionit, është arrestuar në flagrancë A. R., 57 vjeç, banues në Korçë, pronar i një lokali në fshatin Bulgarec, i cili akuzohet për organizim të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin, vënie në dispozicion të ambienteve për lojëra të palejuara dhe prodhim e shitje të lëndëve narkotike.
Sipas Policisë, gjatë kontrollit në ambientet e lokalit, u konstatua se pronari kishte përshtatur hapësirat për zhvillimin e lojërave të fatit dhe për shitje e përdorim të drogës. Në banak u gjetën dhe u sekuestruan 14 doza me lëndë të dyshuar kokainë, ndërsa nga këqyrja e celularit të tij rezultuan faqe aktive për baste sportive online.
Gjatë ndërhyrjes së shërbimeve policore, disa persona tentuan të fshehin prova, çka çoi në procedimin penal të tre shtetasve për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Konkretisht, u proceduan:
R. K., banues në Korçë
F. A., banues në fshatin Vinçan
H. M., banues në fshatin Vloçisht, Maliq
Po ashtu, 14 shtetas të tjerë u proceduan penalisht për “Moskallëzim krimi”, pasi kishin dijeni për veprimtarinë e paligjshme, por nuk e kallëzuan atë pranë organeve ligjzbatuese.
Në këtë operacion u përfshi edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, e cila referoi materialet në Prokurori për shtetasin D. L., punonjës policie pranë PKK Kapshticë, i dyshuar për “Shpërdorim detyre”, pasi ishte prezent në ambient dhe nuk kishte përmbushur detyrimet ligjore. Paralelisht, ndaj tij ka nisur edhe hetimi disiplinor nga Drejtoria e Standardeve Profesionale.
Në përfundim të operacionit, Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale:
14 doza me lëndë të dyshuar kokainë
shuma monetare në lekë, euro, paund dhe lira turke
një automjet
8 telefona celularë
letra bixhozi dhe çipsa për lojëra fati
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme ligjore.






