Gazetari Elton Tozaj ka bërë një rrëfim rrëqethës mbi fëmijërinë e tij, duke zbuluar se për shtatë vite rresht ka qenë viktimë e një abuzimi nga një person i afërt. Në një intervistë televizive për “Vizion Plus”, Tozaj tregoi se pas mureve të shtëpisë kishte një realitet krejt tjetër nga ai i një fëmije të zakonshëm.
“Kam qenë viktimë e një abuzimi për 7 vite rresht. Jashtë shtëpisë nuk kam qenë aq i lumtur, ndonëse brenda mureve të saj gjithmonë e kam ndjerë mbrojtjen e prindërve dhe familjarëve të mi,” u shpreh gazetari.
Ai tregoi se personi që kishte abuzuar me të ishte fqinji i pallatit, i njohur si “i forti i lagjes”, i cili ka ndërruar jetë në vitin 1997. Për shumë kohë, kjo plagë e fshehur e futi gazetarin në një periudhë të vështirë, ku shpesh përdorte alkool dhe substanca narkotike për të gjetur qetësi.
“Kam pasur netë kur nuk flija, sepse skenat e asaj kohe më ktheheshin në mendje. Shpesh mendoja t’i jepja fund jetës. Vetëm mbështetja e nënës më ka shpëtuar. Edhe sot ajo mbetet shtylla ime kryesore,” tha Tozaj me emocion.
Ky rrëfim i hapur shënon herën e parë që gazetari ndan publikisht dramën e tij personale, duke theksuar se edhe pse dhimbja është e pranishme, guximi për të folur është një hap i rëndësishëm për të thyer heshtjen dhe stigmat që shoqërojnë viktimat e abuzimit.


