Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi janë bërë sërish bashkë kundër SPAK në betejën e përbashkët ligjore në Gjykatën e Posaçme.
Çifti i dikurshëm politik nën akuzë për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie i kërkuan Gjykatës së Posaçme transmetim mediatik të seancës gjyqësore, ndërsa ish-presidenti, përmes avokatit të tij, Kujtim Cakrani, i kërkoi edhe nxjerrjen nga kafazi i qelqtë.
Ilir Meta: Dua t’ju kërkoj ta shikoni edhe një herë çështjen e transmetimit. Ashtu sikurse ne kemi argumentet tona sa i takon Konventës Europiane të kësaj çështjeje. Por ne i jemi referuar shteteve ku media është e pavarur. Raporti i OSBE tregon se media është 90% e varur dhe e kontrolluar nga qeveria. Nuk shoh asnjë arsye pse ky proces të mos jepet live. Ju vërtet thoni që e merrni raportimin nga gazetarët e nderuar këtu, por përderisa media është e kontrolluar… Edhe si president, edhe si kryeministër ua kërkoj. Përsa i përket çështjes së kafazit nuk më intereson shumë, është në dorën tuaj. Por në ndryshim nga avokati unë nuk e kërkoj për veten time, për shkak të funksioneve që kam mbajtur. Transmetimin e kërkoj për shkak të funksioneve që kam ushtruar, të dytën jo.
Monika Kryemadhi e kërkoi pasqyrimin direkt në media pasi është e vetmja mënyrë sipas saj për transparencë.
Monika Kryemadhi: Duke qenë se jam vetë fajtore e këtij procesi gjyqësor, unë e di çfarë kam shkaktuar. Dua që të garantohet transmetimi. Për ne është më i rëndësishëm gjykimi mediatik, publik. Ne nuk jemi njerëz të zakonshëm. Ne kemi qenë prezent kur u fsheh ngjarja e zvarritjes në Zvërnec, më pas u bë publike. Tani imagjinoni sot, kur u mor zvarrë Presidenti i Republikës nga 5 policë, dy prej të cilëve sot janë arrestuar, sesi ngjarja u tentua të mos bëhej publike.
Trupa e posaçme e drejtësisë, vendosi të rrëzojë kërkesën për nxjerrjen nga kafazi i qelqtë si të pabazuar në ligj pasi vendimeve të cilat mbrojtja i referohet lidhen me të pandehur që mbahen në kafaze të hekurt.
“Janë krijuar ambiente që e bëjnë të pandehurin të qëndrojë në sallë pa iu cenuar dinjiteti dhe garantojnë kushte normale për vijimin e seancës. Struktura i lejon të pandehurit që të marrë pjesë në seancë e të komunikojë me gjykatën”, tha gjyqtari Erion Bani.
Tanimë, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi do t’u duhet të mbrohen kundër akuzave që rëndojnë mbi ta në proces të zakonshëm gjyqësor ndërsa të bashkëpandehurit e tjerë, e ëma e Monika Kryemadhit, Fatmja, Ema Çoku, bashkëpunëtore e saj, dhe Piro Xhixho do të përballen me drejtësinë me procedurë të shkurtuar.
SPAK këtë të premte po relaton kërkesën për gjykim, e sipas ligjit më pas fjalën do ta ketë mbrojtja, e cila do të paraqesë kundërshtitë e saj.


