Teherani ka paraqitur gjashtë kushte për t’i dhënë fund tensioneve me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, ndërsa presidenti Donald Trump ka kërkuar hapjen e Ngushticës së Hormuzit brenda 48 orëve, duke paralajmëruar sulme ndaj termocentraleve iraniane në të kundërt.
Përgjigja nga Irani ka qenë e prerë. Një zëdhënës ushtarak deklaroi se në rast përshkallëzimi, do të goditet infrastruktura energjetike dhe ajo e teknologjisë së informacionit e SHBA-së. Ndërsa përfaqësuesi iranian në OKB, Ali Mousavi, theksoi se ngushtica mbetet e mbyllur vetëm për “armiqtë”.
Sipas raportimeve të mediave iraniane, gjashtë kushtet e Teheranit për përfundimin e konfliktit janë: garanci që lufta nuk do të përsëritet, mbyllja e bazave amerikane në rajon, pagesa e kompensimeve për dëmet ndaj Iranit, ndalimi i operacioneve kundër grupeve të lidhura me Teheranin, vendosja e një regjimi të ri ligjor për Ngushticën e Hormuzit dhe ndjekja penale e mediave që konsiderohen anti-iraniane.
Zhvillimet vijnë në një moment tensioni të lartë në rajon, ku përplasja mes palëve rrezikon të përshkallëzohet më tej nëse nuk arrihet një marrëveshje diplomatike.


