Një tjetër aplikacion që ofronte akses të paautorizuar në kanale dhe paketa televizive shqiptare është hequr nga Google Play Store.
Vendimi u mor pas një kërkese të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), i cili, pas verifikimeve të kryera nga ekipet e inspektimit, konstatoi shkelje të të drejtave të transmetimit. Si rezultat, institucioni kërkoi nga platforma largimin e aplikacionit.
Sipas AMA-s, “One IPTV Player” transmetonte në mënyrë të paligjshme përmbajtje nga Digitalb, Tring, RTSH dhe TV Klan, si edhe paketa sportive që mbrohen nga të drejta ekskluzive transmetimi. Aktiviteti i tij konsiderohej shpërndarje e paautorizuar e përmbajtjes audiovizive në internet.
Ky nuk është rasti i parë i ndërhyrjes së AMA-s ndaj platformave të tilla. Më herët, edhe aplikacioni “Kanali im” u hoq pas një procedure të ngjashme, pasi ofronte pa autorizim kanale televizive, filma, transmetime sportive dhe programe argëtuese, përfshirë edhe “Big Brother VIP Albania”.
Autoriteti i Mediave Audiovizive ka bërë të ditur se do të vijojë monitorimin e hapësirës digjitale dhe raportimin e platformave apo faqeve që shpërndajnë përmbajtje televizive pa leje, me synim mbrojtjen e të drejtave të transmetimit dhe të prodhimeve audiovizive shqiptare.


