Dhjetëra turistë izraelitë që po qëndronin në Hotel Vlora Priam, në Vlorë, përfunduan në spital pasi shfaqën simptoma të rënda të një episodi të dyshuar helmimi, përfshirë dridhje trupore, të vjella, dobësi fizike, konfuzion dhe humbje të ndjenjave.
Ngjarja është bërë publike nga mediat izraelite, të cilat kanë raportuar ankesat e turistëve lidhur me mënyrën se si reaguan hoteli dhe autoritetet shqiptare pas incidentit. Sipas tyre, disa prej pushuesve dyshojnë se simptomat mund të jenë shkaktuar nga një rrjedhje azoti nga sistemi i kondicionimit, megjithatë ky pretendim nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Mes turistëve të prekur është edhe Racheli, banore e Kfar Saba në Izrael, e cila kishte udhëtuar në Shqipëri për pushime familjare së bashku me fëmijët, motrën dhe të afërm të tjerë. Familja ishte akomoduar në Hotel Vlora Priam, në qytetin bregdetar të Vlorës.
Në një rrëfim për median izraelite Mako, ajo tregoi se gjithçka nisi gjatë natës, kur vajza e saj e vogël u ankua se nuk arrinte të lëvizte këmbët.
“Shkova të shihja çfarë kishte dhe menjëherë pas kësaj fillova të ndihesha keq. Ndjeva një ndjesi të pazakontë dhe dhimbje në të gjithë trupin, si dhe fillova të vjell. Motra ime u përpoq të më ndihmonte, por edhe ajo nisi të kishte dridhje”, tha Racheli.
Sipas saj, gjendja e familjes u përkeqësua brenda pak minutash.
“Arritëm në një pikë ku nuk mund të ecnim më. Kishim dridhje të forta, humbëm kontrollin e trupit dhe ndiheshim sikur ishim në një mjegull të plotë. Nuk arrinim të funksiononim”, u shpreh ajo.
Racheli tha se disa prej familjarëve humbën ndjenjat dhe kërkuan ndihmë në recepsionin e hotelit.
“Ishim shumë të hutuar dhe mezi kontrollonim veten. Kërkuam një mjek dhe telefonova djalin tim të madh, i cili ishte në një kat tjetër të hotelit. Kur erdhi, na gjeti në dysheme. Ishte një pamje e vështirë. Ai kishte parë ambulanca jashtë hotelit dhe shumë persona të tjerë jashtë dhomave të tyre”, rrëfeu ajo.
Ajo kritikoi edhe reagimin fillestar të shërbimeve të emergjencës, duke pretenduar se familja nuk u transportua menjëherë në spital.
“Dështimi më i madh ishte që nuk na dërguan urgjentisht në spital. Erdhën paramedikët, na dhanë injeksione dhe na vendosën serum, por më pas u larguan duke na lënë aty. Na thanë se pas 15 minutash do të ndiheshim më mirë”, deklaroi Racheli.
Sipas saj, vetëm rreth një orë më vonë, kur gjendja nuk u përmirësua, familja u transportua në spital.
“Nuk na kontrolluan as nivelin e oksigjenit në gjak dhe as tensionin e gjakut, gjëra bazike. Në urgjencë na thanë se vajza ime duhej të shkonte në një spital tjetër për fëmijë. U thashë se nuk do ta lija vetëm dhe se do të qëndronte me mua”, tregoi ajo.
Në spital, familja u takua me turistë të tjerë të hotelit që kishin përjetuar simptoma të ngjashme, si dhimbje koke, të vjella dhe konfuzion.
Sipas Rachelit, pacientëve u janë dhënë shpjegime të ndryshme për gjendjen e tyre, duke filluar nga sulmet e panikut deri te infeksionet virale.
“Ne e kuptuam më vonë se ndoshta bëhej fjalë për një rrjedhje azoti nga kondicioneri. Lexuam për simptomat dhe ato përputheshin”, tha ajo.
Ajo shtoi se një turist tjetër, i cili ishte dërguar në një spital tjetër, i kishte treguar se mjekët e kishin lidhur gjendjen e tij me thithjen e azotit të çliruar në ambient.
“Na tregoi se vëllai i tij kishte qenë në dhomë, kishte ndier një erë të fortë nga kondicioneri dhe më pas kishte humbur ndjenjat”, tha Racheli.
Pas disa orësh, familja u rikthye në hotel për të marrë sendet personale, por pretendon se nuk mori asnjë interesim nga drejtuesit apo stafi.
“Askush nuk na pyeti si ishim apo si ndiheshim. U ndjemë të braktisur dhe sikur po përpiqeshin ta shmangnin gjithë këtë situatë, sikur të mos kishte ndodhur kurrë”, u shpreh ajo.
Racheli, familjarët e saj dhe një çift tjetër izraelit që u prek nga incidenti kanë depozituar kallëzim pranë autoriteteve dhe kanë kërkuar një hetim të plotë për ngjarjen.
Deri më tani, nuk ka një konfirmim zyrtar për shkakun e incidentit. Po ashtu, as hoteli dhe as autoritetet shqiptare nuk kanë publikuar ende një raport përfundimtar mbi pretendimet e ngritura nga turistët.


