Gjatë takimit elektoral në Burrel, nuk munguan batutat e kryeministrit Edi Rama, i cili u ngacmua nga një i ri që sipas tij kishte hipur në pemë. Teksa i riu fliste në telefon, Rama nuk i kurseu ironinë: “Hë mo, e mbarove telefonin? Kishe hipur në pemë se poshtë nuk kapte vala!”.
Në vijim të fjalës së tij, Rama kritikoi ashpër komentuesit dhe analistët që reagojnë ndaj sondazheve pa reflektuar mbi realitetin. Sipas tij, shumë prej tyre e mohojnë faktin që një pjesë e mirë e shqiptarëve mendojnë se vendi po ecën në drejtimin e duhur, duke dhënë interpretime absurde si “populli është i sëmurë”, apo “i blerë”.
“Askush nuk mendon se ndoshta populli ka të drejtë”, tha Rama, duke ironizuar opinionistët që “qethin dynjanë përnatë në berberhane televizive”. Ai theksoi se përtej narrativave mediatike, në shumë zona, përfshirë Burrelin, janë bërë përmirësime reale si furnizimi me ujë 24 orë në ditë.


