Greqia ka vendosur të ndjekë shembullin e Turqisë në përpjekjet për të frenuar përhapjen e peshkut sferik, një specie invazive dhe helmues që po dëmton ekosistemin e Detit Egje.
Ministria greke e Zhvillimit Rural dhe e Ushqimit ka njoftuar se do të ofrojë shpërblim financiar për peshkatarët profesionistë që kapin këtë specie në zonën e Kretës dhe në jug të Detit Egje. Për çdo kilogram peshku sferik të kapur do të paguhen 5.33 euro.
Programi është mirëpritur nga shoqatat e peshkatarëve, të cilat prej kohësh kanë ngritur shqetësimin se kjo specie po dëmton rëndë aktivitetin e tyre, duke shqyer rrjetat e peshkimit dhe duke reduktuar rezervat e peshqve vendas.
Sipas Qendrës Greke për Kërkime Detare (HCMR), peshku sferik përshtatet lehtësisht me mjedise të ndryshme, ka shumë pak grabitqarë natyrorë dhe shumohet me ritme të larta, duke rrezikuar biodiversitetin detar dhe duke zhvendosur speciet autoktone.
Ekspertët paralajmërojnë se kjo specie nuk duhet të konsumohet, pasi përmban tetrodotoksinë (TTX), një neurotoksinë shumë të rrezikshme që nuk neutralizohet as gjatë gatimit. Përveç rrezikut për shëndetin, peshku sferik ka edhe dhëmbë shumë të fortë, të ngjashëm me sqepin, të cilët dëmtojnë rrjetat e peshkimit dhe mund të shkaktojnë plagë serioze te peshkatarët gjatë nxjerrjes së tij nga rrjetat.


