Gjykata e Posaçme ka vendosur të lërë në burg oficerin e Antiterrorit, Igli Haxhiaj, i arrestuar në kuadër të një operacioni të përbashkët me autoritetet italiane.
Në seancën e sotme, Haxhiaj ka mohuar çdo lidhje me grupin e trafikut të drogës të goditur nga SPAK dhe pala italiane, duke deklaruar se:
“Më kanë përdorur emrin, nuk kam pasur Sky Ecc. Nuk kam komunikuar asnjëherë në aplikacionin Sky.”
Ai akuzohet për lidhje me një grup të përfshirë në trafik droge nga Amerika Latine dhe Shqipëria drejt Italisë. Arrestimi i tij lidhet me një aksion të përbashkët mes prokurorisë së Breshias dhe SPAK.
Për periudhën që dyshohet se ka kryer këto vepra, Haxhiaj ka qenë pjesë e Forcave Operacionale, ndërsa muajt e fundit ishte transferuar te Antiterrori dhe po vazhdon studimet për të marrë gradën nënkomisar.


