Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i drejtuar nga Anke Weber, ka përfunduar vizitën në Tiranë në kuadër të Konsultimit të Nenit IV për vitin 2025, duke theksuar se Shqipëria po kalon një moment vendimtar në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian.
Në deklaratën për medie, FMN vlerëson se Shqipëria ka sot një nga normat më të larta të rritjes në Evropë, inflacion të ulët, borxh publik në rënie dhe rezerva të forta valutore. Sipas misionit, qeveria po shtyn përpara reforma të guximshme me synimin për anëtarësim në BE deri në vitin 2030, por vendi ende përballet me sfida të thella strukturore.
Ekonomia: Rritje e fortë, por e ekspozuar ndaj rreziqeve
FMN parashikon që rritja ekonomike të jetë 3.5% në vitin 2025 dhe 3.6% në 2026, kryesisht e nxitur nga konsumi dhe turizmi. Inflacioni parashikohet të rritet lehtë, nga 2.2% në 2025 në 3.2% në mesin e 2026-s, për shkak të rritjes së pagave dhe mungesës së fuqisë punëtore.
Deficiti i llogarisë korrente pritet të jetë 2.8% e PBB-së në vitin 2025, për t’u zgjeruar deri në 3.5% në afatmesëm si pasojë e rritjes së importeve.
Ndër rreziqet kryesore listohen tensionet globale, çmimet e paqëndrueshme të lëndëve të para, pasiguria tregtare dhe efektet që këto mund të kenë te partnerët kryesorë ekonomikë të Shqipërisë.
Financat publike dhe borxhi
FMN parashikon një suficit të vogël primar në 2025 dhe 2026, ndërsa borxhi publik pritet të zbresë nga 54% e PBB-së në fund të vitit të ardhshëm, në rreth 50% deri në vitin 2030.
Megjithatë, misioni paralajmëron se presionet demografike, rritja e shpenzimeve për pensione e shëndetësi pas vitit 2030, si dhe angazhimet në NATO (5% e PBB-së për mbrojtjen deri në 2035), mund të rrezikojnë qëndrueshmërinë fiskale.
FMN kundër bonuseve për pensionet
Një nga rekomandimet më të forta të FMN-së lidhet me rritjen e pensioneve përmes bonuseve. Misioni thekson se këto masa duhet të shmangen, pasi janë regresive, dobësojnë lidhjen mes kontributeve dhe përfitimeve, dhe krijojnë presion afatgjatë mbi financat e shtetit.
Në vend të tyre, FMN kërkon përdorimin e programeve të targetuara të asistencës sociale, me synim mbështetjen e shtresave më të varfra.
Reforma fiskale dhe tatimore
Për të ruajtur stabilitetin fiskal, FMN rekomandon:
heqjen graduale të përjashtimeve nga TVSH-ja dhe incentivave sektorale joefektive;
modernizimin e taksës mbi pronën duke u bazuar në vlerë reale
forcimin e administratës tatimore;
rritjen e transparencës mbi PPP-të, SPV-të dhe entitetet jashtë bilancit.
Ndërkohë, FMN shpreh shqetësim për marrëveshjen e propozuar të “Paqes Fiskale”, duke paralajmëruar se ajo mund të minojë besueshmërinë e sistemit tatimor dhe të dobësojë pajtueshmërinë e biznesit.


