TIRANË- Policia e Tiranës ka vënë në pranga shtetasit M. B., 30 vjeç, dhe S. R., 23 vjeç, të dy banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit të automjetit të shtetasit M. B., gjetën lëndën e dyshuar narkotike e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
NJOFTIMI I POLICISË:
DVP Tiranë
Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, operacioni policor i koduar “Zalli”.
Sekuestrohen rreth 3 kg e 100 gramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis, arrestohen dy shtetas.
Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, të mbështetura nga inteligjenca policore, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Zalli”.
Gjatë operacionit u arrestuan shtetasit M. B., 30 vjeç, dhe S. R., 23 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në Babrru, dy shtetasit e lartpërmendur dhe gjatë kontrollit të automjetit të shtetasit M. B., gjetën lëndën e dyshuar narkotike e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale./Radar.al


