Ferrari ka zbuluar zyrtarisht emrin e njëvendëshes që do të garojë në Botërorin e Formula 1 për sezonin e ardhshëm. Përmes një videoklipi të publikuar në rrjetet sociale, skuderia nga Maranello njoftoi se makina e re do të quhet SF-26, duke vijuar traditën e emërtimit të viteve të fundit.
Zgjedhja e këtij emri vjen në shenjë vazhdimësie me njëvendëshen e sezonit 2025, me të cilën Charles Leclerc dhe Lewis Hamilton nuk arritën të përmbushin pritshmëritë. Emërtimi kombinon siglën SF (Scuderia Ferrari) me dy shifrat e fundit të vitit të kampionatit, një praktikë që Ferrari e ndjek prej katër sezonesh.
Prezantimi zyrtar i SF-26 do të bëhet më 23 janar, vetëm tre ditë përpara nisjes së testeve parasezonale, të cilat do të zhvillohen nga 26 deri më 30 janar në pistën e Barcelonës.
Ferrari e nisi këtë mënyrë emërtimi në vitin 2023 me modelin SF-23, i drejtuar atëherë nga Charles Leclerc dhe Carlos Sainz. Në sezonin 2022 makina u quajt F1-75, për të festuar 75-vjetorin e skuderisë, ndërsa njëvendëshja e vitit 2021 mbante emrin SF21.


