Jo vetëm reshjet dhe rreziku i përmbytjeve, por edhe erërat e forta pritet të krijojnë problematika në Durrës gjatë orëve në vijim. Bashkia e Durrësit ka dalë me një njoftim zyrtar, duke paralajmëruar qytetarët për përkeqësim të kushteve të motit dhe rritje të ndjeshme të shpejtësisë së erës.
Sipas parashikimeve meteorologjike, duke nisur nga ora 16:00 e ditës së sotme, era nga drejtimi jugor do të forcohet ndjeshëm, duke arritur shpejtësi deri në 25 metra për sekondë. Këto kushte pritet të vijojnë deri në orët e para të mëngjesit të së shtunës.
Në këtë situatë, autoritetet lokale u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin daljet dhe lëvizjet e panevojshme, si dhe të tregojnë kujdes maksimal për sigurinë personale dhe atë të familjarëve. Bashkia thekson se strukturat e saj do të jenë në gatishmëri të plotë për të përballuar çdo problematikë që mund të lindë si pasojë e kushteve të vështira atmosferike.
Qytetarëve u kërkohet gjithashtu të ndjekin njoftimet zyrtare për çdo zhvillim të ri lidhur me situatën e motit.


