Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në qendër të Shkodrës, pranë shatërvanit, ku dy të rinj janë plagosur me thikë gjatë një konflikti mes adoleshentësh.
Sipas informacionit paraprak, dyshohet se përplasja ka përfshirë disa të rinj nën moshën 18 vjeç. Të plagosurit, një 19-vjeçar dhe një 17-vjeçar, u transportuan menjëherë në Spitalin Rajonal Shkodër dhe aktualisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
“Rreth orës 19:50, në spital u paraqitën shtetasi E.P., 19 vjeç, dhe një 17-vjeçar, të dëmtuar me mjet prerës, gjatë një konflikti të çastit në lagjen ‘Qemal Stafa’”, njoftoi policia.
Forcat e rendit kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe po vijojnë hetimet për të identifikuar autorët dhe për të zbardhur shkaqet e konfliktit.


