Hetimet e SPAK për atentatin e mbetur në tentativë ndaj Inez Hajrullës dhe Ervis Matodashajt zbulojnë një tjetër dëshmi kyçe: atë të Xhovana Nikollit, bashkëshortes së Amarildo Nikollit, i njohur si bashkëpunëtor i drejtësisë në këtë çështje.
Xhovana Nikolli ka pohuar para hetuesve se ka qenë dëshmitare e një bisede mes burrit të saj dhe Leonard Luzit, i cili kërkonte vrasjen e dy personave, të identifikuar si “Ini” dhe “Qorri”, kundrejt një pagese prej 500 milionë lekësh të vjetra. Kjo dëshmi përputhet me deklarimet e dhëna më herët nga Amarildo Nikolli dhe është përdorur nga SPAK si provë mbështetëse në dosje.
Ngjarja daton në gusht 2023, kur Amarildo Nikolli, Leonard Luzi, Muharem Koroveshi dhe një person i shpallur në kërkim, Erio Zejno, dyshohet se ishin angazhuar për të kryer vrasjet me pagesë në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë. Plani nuk u realizua, pasi objektivat nuk u gjetën, ndërsa Nikolli u arrestua me armë në brez nga policia gjatë një operacioni të strukturës “Fast Albania”.
Gjatë marrjes në pyetje, Xhovana Nikolli ka dhënë detaje mbi aktivitetin e dyshimtë të katër personave, duke përmendur se ata frekuentonin shtëpinë e saj në Vlorë, mbanin armë dhe pastronin pistoletat në ambientet ku ajo jetonte me bashkëshortin. Ajo identifikon edhe dy persona të tjerë, të njohur si “Fshatari” dhe “Erjo”, të cilët sipas saj, ishin të armatosur dhe në kontakt të vazhdueshëm me Leonard Luzin.
Gjykata e Apelit të Posaçëm ka dënuar tashmë Leonard Luzin me 10 vite burg, Amarildo Nikollin me 2 vite e 9 muaj si bashkëpunëtor i drejtësisë, dhe Muharem Koroveshin me 6 vite e 8 muaj.