TIRANË-Një ditë pas vendimit me 1 vit burg nga Gjykata e Apelit, deputeti i PD-së, Ervin Salianji ka mbërritur herët sot në ambientet e Selisë blu.
Mësohet në selinë e Partisë Demokratike ndodhet edhe nënkryetari i PD, Agron Gjekmarkaj, në një kohë që sot është njoftuar se do të mbahet edhe një mbledhje e grupit parlamentar.
Një ditë më parë, të enjten e 26 Shtatorit, Gjykata e Apelit la në fuqi dënimin me 1 vit burg për deputetin e PD-së, Ervin Salianjin, për akuzën e “Kallëzimit të rremë” për rastin e audio-përgjimit ku pretendohej se vëllai i ish ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, ishte përfshirë në një episod trafiku droge.
Menjëherë pas vendimit, Salianji foli para gazetarëve për një vendim politik, duke u shprehurse do të bëjë fushatë edhe nga burgu.
“Dosje e kopsitur nga fillimi në fund. Vendimmarrje politike. Do ta shohin si do të shkojë historia. Jam i nderuar dhe kam medalje që shndrit në karrierën politike. Do e ankimoj vendimin dhe do ndjekim procedurat e tjera gjyqësore.”-deklaroi ai.


