Detaje të trishta zbulohen nga ngjarja tragjike e ndodhur në Shkodër sonte, ku një 15-vjeçar vdiq në spital pas goditjeve me thikë.
Burimet thanë se viktima, 15-vjeçari i identifikuar si Emiljano Gjoni, është qëlluar disa herë me thikë nga një person tjetër, i cili u arratis pas krimit. Mësohet se ata patën një konflikt të çastit. Viktima dhe autori raportohet se kishin njohje me njëri-tjetrin.
Ndërkohë që i mituri ishte lënë në mes të rrugës, atë e ka pikasur një kalimtar i rastit.
Ka qenë ai i cili e ka dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Por fatkeqësisht i mituri nuk u mbijetoi dot plagëve të marra dhe ndërroi jetë në spitalin rajonal të Shkodrës.
Policia ka marrë kamerat e sigurisë së zonës ku ndodhi ngjarja. Kqyrja e tyre ka bërë të mundur dhe identifikimin e shpejtë të autorit. Mësohet se janë ngritur pika kontrolli dhe po kërkohet për të. Identiteti i autorit nuk është bërë me dije ende.


