Një operacion i Policisë së Shtetit për kapjen e një personi me rrezikshmëri të lartë në Maliq përfundoi në tragjedi, duke lënë të vrarë efektivin Enea Mekolli dhe të plagosur kolegun e tij, Edison Adri.
Pas ngjarjes së rëndë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, dhe ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, mbërritën në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë në Korçë, ku po zhvillohet një mbledhje urgjente për të analizuar detajet e operacionit dhe rrethanat që çuan në humbjen e jetës së efektivit.
Burime bëjnë me dije se në aksionin për lokalizimin dhe arrestimin e Violand Braçellarit morën pjesë rreth 40 forca policie, mes tyre edhe 6 efektivë të forcës “Shqiponja”.
Para mbërritjes në Korçë, Hita vizitoi në spital efektivin e plagosur Edison Adri, i cili po merr trajtim mjekësor. Në reagimin e tij, kreu i Policisë shprehu dhimbjen për humbjen e Enea Mekollit, duke e cilësuar atë si një shërbëtor të përkushtuar të qytetarëve që ra në krye të detyrës.
Ndërkohë, strukturat drejtuese të policisë po shqyrtojnë të gjithë planin operacional për të zbardhur çdo detaj të aksionit që u kthye në një nga ngjarjet më të rënda për uniformat blu.


