Ambasada e SHBA ka reaguar me shqetësim lidhur me vendimin e Parlamentit shqiptar këtë të premte për të mos dërguar në Gjykatën Kushtetuese mandatin e deputetes Olta Xhaçka.
“Qeveria dhe institucionet duhet të respektojnë rregullat, ligjet, vendimet e gjykatave dhe kushtetutën – të gjitha të cilat janë aty për të siguruar që sistemi demokratik është i shëndetshëm dhe lulëzon”, thekson Ambasada amerikane.
Pas një seance maratonë, gjatë procesit të votimit 25 deputetë të opozitës kanë votuar pro dërgimit të çështjes në Kushtetuese, 65 deputetë të shumicës kanë abstenuar, ndërsa nëntë të tjerë, po nga maxhoranca, kanë votuar kundër.
Në përfundim të votimit, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali tha se nga dita e nesërme do t’i drejtohet Komisionit të Venecias.
Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka reaguar pasi vota e deputetëve socialistë pengoi për herë të tretë kalimin në Gjykatën Kushtetuese të çështjes së mandatit të ish Ministres së Jashtme. Delegacioni i BE shprehet se ajo çka ndodhi dje nuk është një hap në drejtimin e duhur dhe se Kuvendi duhet të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Deklarata e Ambasadës së SHBA:
Ambasada e SHBA ndan shqetësimin e Delegacionit të Bashkimit Europian lidhur me vendimin e Parlamentit të Shqipërisë për të shpërfillur një vendim të Gjykatës Kushtetuese.
Siç vërejti kohët e fundit Kryetarja e Parlamentit, marrja e hapave të nevojshme për vendimet e Gjykatës Kushtetuese është përgjegjësi qendrore e Parlamentit dhe është gjithashtu jetike për ndarjen e pushteteve.
Qeveria dhe institucionet duhet të respektojnë rregullat, ligjet, vendimet e gjykatave dhe kushtetutën – të gjitha të cilat janë aty për të siguruar që sistemi demokratik është i shëndetshëm dhe lulëzon.



