Detaje të reja janë zbuluar nga hetimet e policisë, në lidhje me atentatin e ndodhur 5 ditë më parë në zonën e Don Boskos në Tiranë, ku u plagosën dy persona.
Makina që u përdor nga autorët dhe më pas u gjet e djegur në zonën e Kamzës në Tiranë, mësohet se është transportuar në Shqipëri nga Dogana e Morinës.
Për këtë shkak policia i ka drejtuar një letër homologëve të tyre në Kosovës, ku i kërkon informacion mbi përdoruesin e mëparshëm të mjetit, me qëllim identifikimin apo rënien në gjurmët e autorëve.
Deri tani auroritetet në Kosovë, janë në fazën e verifikimeve dhe akoma nuk kanë një përgjigje. Policia ka dyshime se makina mund të jetë blerë nga autorët në Shqipëri.
Për këtë po punohet edhe me shqyrtimin e pamjeve të kamerave kufitare për identifikimin e personave që e sollën.
Targat që u përdorën në mjetin që u dogj më pas, zbulohet se i përkasin një makine në Valias, të cilat dyshohet se janë marrë brenda një garazhi.
Blutë po hetojnë për të gjetur pronarin e saj, ndonëse ky i fundit nuk i ka denoncuar si të vjedhura.


