FIER– “Blutë” e Fierit kanë zbuluar një tjetër rast të prostitucionit, duke arrestuar dy shtetase nga Kolumbia, të cilat ushtronin prostitucion.
Dina Camargo, 31, dhe Geraldine Calderon, 20 vjeçe, prej disa muajsh ishin vendosur në Fier në një banesë me qira në lagjen “Apollonia”, shumë pranë qendrës së qytetit, ku ushtronin aktivitetin e paligjshëm.
Burime nga Komisariati i Fierit bëjnë me dije se shtetaset nga Kolumbia ishin vendosur në Fier rreth 6 muaj më parë dhe se në shumicën e rasteve ato vepronin si eskorte, duke përfituar kundrejt takimeve me klientët shuma që varionin nga 50 deri në 80 euro.
Hetimi i policisë së Fierit për këtë rast prostitucioni nisi dy javë më parë pas informacioneve të marra në rrugë operative.
Operacioni i arrestimit të kolumbianeve u shoqërua edhe me procedimin e tre klientëve të tyre, si dhe sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme lekësh. Në gjashtë muajt e parë të vitit 2026, në Fier dhe Lushnjë janë zbuluar 5 raste që lidhen me veprën penale të prostitucionit.
Në janar, një 19-vjeçar shqiptar u arrestua në Lushnjë pasi shfrytëzonte për prostitucion një shtetase nga Brazili. Një tjetër rast prostitucioni në Fier çoi në arrestimin e një shtetaseje nga Patosi. Në muajin shkurt në pranga ranë dy shtetase nga Rumania, në mars u arrestuan një shtetase turke dhe një tjetër nga Azerbajxhani për ushtrim prostitucioni, ndërsa në operacionin e fundit u arrestuan dy kolumbianet. Në pesë operacione rezulton të jenë arrestuar 6 shtetase të huaja, një shtetas që vepronte si tutor dhe një shtetase shqiptare. Në të gjitha rastet, autorët e kësaj vepre penale e ushtronin aktivitetin në banesa të marra me qira në afërsi të qendrës së qytetit, por në pallate me pak banorë, me qëllim mosrënien në sy të aktivitetit të paligjshëm./Radar.al


