Një situatë emergjente u regjistrua mëngjesin e së martës në New York, pasi një projekt i madh banimi pranë Terminalit Grand Central u konsiderua në rrezik shembjeje, duke detyruar autoritetet të evakuojnë punëtorët dhe ndërtesat përreth.
Departamenti i Zjarrfikësve të New York-ut (FDNY) mori njoftimin pak para orës 08:00, pasi në godinën që ndodhet në adresën 235 East 42nd Street u raportua rënia e tullave.
Ndërtesa, e cila dikur ka shërbyer si selia e kompanisë farmaceutike Pfizer, po i nënshtrohet një transformimi të plotë për t’u kthyer në një kompleks modern banimi me mbi 1,600 apartamente.
Sipas Departamentit të Ndërtimit, një inspektor i sigurisë konstatoi se një tra metalik në katin e 21-të kishte pësuar dëmtime të konsiderueshme, duke ngritur dyshime serioze për qëndrueshmërinë e strukturës.
Nga ana tjetër, Departamenti i Zjarrfikësve bëri të ditur se dy kolona mbajtëse brenda ndërtesës kishin filluar të përkuleshin, ndërsa në katet e sipërme ishin vërejtur shenja fundosjeje, çka shtoi shqetësimet për stabilitetin e godinës.
Si masë parandaluese, të gjithë punëtorët u nxorën menjëherë nga kantieri, ndërsa autoritetet urdhëruan edhe evakuimin e dy ndërtesave fqinje, në adresat 225 dhe 221 East 43rd Street, për të garantuar sigurinë e banorëve.
Projekti synon të shndërrojë ish-kompleksin e Pfizer në një nga zhvillimet më të mëdha rezidenciale në zonë, me më shumë se 1,600 apartamente. Përfundimi i punimeve është planifikuar për vitin 2027.
Fatmirësisht, nga incidenti nuk pati persona të lënduar. Autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e dëmtimeve dhe për të vlerësuar nëse ndërtesa paraqet rrezik për shembje apo mund të stabilizohet për vijimin e punimeve.


