Policia ka vënë në pranga një person që dyshohet se lidhet me vdekjen nga mbidoza e aktorit Matthew Perry, raportojnë mediat amerikane.
Kujtojmë se aktori i serialit ‘Friends’ u gjet i vdekur në një vaskë në shtëpinë e tij në Kaliforni në tetor 2023.
Zyra e Ekzaminuesit Mjekësor të Qarkut të Los Anxhelosit e lidhi vdekjen e tij me efektet akute të ketaminës, një qetësues që mund të përdoret si një ilaç rekreativ, si dhe për të trajtuar depresionin.
Arrestimi i personit të dyshuar mësohet se ka ardhur pasi Policia deklaroi në muajin maj se po punonte me autoritetet federale për të hetuar burimin e ketaminës që aktori kishte konsumuar.
Perry i ishte nënshtruar terapisë me infuzion me ketaminë për të trajtuar depresionin dhe ankthin, por seanca e tij e fundit u zhvillua më shumë se një javë para vdekjes.


